Policia e Shtetit, ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shihen disa persona duke u konfliktuar verbalisht, ndërsa njëri prej tyre, polic, mban në dorë një armë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, 9 shkurt, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, pranë pallateve malajziane në Tiranë.
Sipas Policisë, Nënkomisar Fabiol Hasaj., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, u konfliktua me shtetasin D. H. për motive të dobëta dhe dyshohet se e ka kanosur atë me armën e shërbimit.
Si masë e menjëhershme, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nënkomisarin dhe ka nisur hetimin disiplinor.
Gjithashtu, arma e shërbimit e punonjësit, një pistoletë tip “TT”, iu bllokua për nevoja të hetimit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprime hetimore dhe procedurale, dhe materialet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Kanosja”.
