Korreshi ironizon Akademinë e Diplomacisë: O Ulsi, ty të ka ikur e gjithë PS-ja në…

Ditën e sotme, nuk munguan debatet te Komisioni për Administratën dhe Çështjet Ligjore në Kuvend. Pas fjalës së ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, për projektligjin e ri për shërbimin e jashtëm, mbledhja kaloi me pyetje dhe përgjigje të deputetëve prezent.

Nga opozita e mori fjalën ligjvënësi i PD, Saimir Korreshi, i cili nuk i mungoi ironitë, duke u shprehur se mos bëhet Akademia Diplomatike që propozohet si ajo e Barinjve të ish-ministres Frida Krifca.

Korreshi hodhi dyshime se diplomatët e rinj do jenë socialistë dhe do e japin provimin tek PS-ja, do të jenë siç tha ai “taze me teserë”.

Ai tha se po kërkohet që të ndryshohet një ligj që ishte miratuar në vitin 2015, që ishte miratuar nga vetë PS-ja, ndërsa shtoi se në diplomaci janë emëruar vetëm socialistët.

“Shoh që trupi diplomatik ka përparësi, se boll këto avantazhimet ekonomike. E vetmja kategori, jemi ne që rrimë të lodhur dhe presim nëpër kafe, janë deputetët. E kemi në qiell namin, por duhet të hysh mik për një copë letër te sekretaria. Te kjo pjesë, me Akademinë, se më kujtohet ajo, mos kthehet kjo akademia, akademia e barinjve? Si ajo që sugjeroi zonja Kricfa (ish-ministrja), dhe kthehet gjeli me një thelë. Ju zonja ministre, thatë se ligji nis me ndryshime gjeopolitike dhe thatë se këto vitet e fundit ka ndryshuar bota dhe Europa. Por sa vite keni në pushtet ju? Ju deshën 13 vite që të merrnit vesh se ka ndryshuar bota. Në 2015u bë ligji që sot është në fuqi. Por çfarë nuk funksion te ky ligj që bëtë ju, se ndoshta ne ishim demode”, tha ai.

Më tej, deputeti pyeti se çfarë ka ndryshuar që ishte i nevojshëm ky projektligj për shërbimin e jashtëm dhe cilat do jenë rregullat, pasi shtoi se do të duhej tesera e PS për t’u bërë diplomat.

“Çfarë ndryshoi? Pse nuk është ky ndryshim në relacion? Pse nuk është përcaktuar! Meqë Europa ka ikur përpara, por cilët vende iu referohet ky ligj? Na cituat këtë gjë me akademinë, por cili vend e ka? Doni dy kamberë me një derë! Po cili nga këto vende ka!? Ky ligj, e zhvesh nga ana profesionale trupën diplomatike. Ligjet e mëparshme e kishin 20%. Tani po e hiqni fare, por çfarë ndryshimi ka? A duhen me tesera të PS? Ore hajde fusim ata të PS dhe heqim ata diplomatë që nuk kanë bindjen si ju. Ju do të emëroni ambasadorë ad-hoc, pra ti vësh atij dhe një ambasador tjetër, e nuk të pëlqen ky! Kështu do funksionojë? Çfarë janë këta që do të hyjnë këta të rinjtë, taze, që kanë qenë në OKB, OJZ, po kush i ha këto rrena?! Kush i ha këto përralla me mbret”, tha deputeti opozitar.

Korreshi u kap edhe me kryetarin e Komisionit, Ulsi Manja, i cili i ndërhyri gjatë fjalës që të përqëndrohej te pyetjet dhe jo komentet.

“Të rinj me teserë PS, kush do e bëjë provimin, partia komuniste? Këta të rinjtë nuk kanë vendojë për provim se kanë qenë në OKB, dhe do i nënshtrohen ata që kanë 30 vite! A ka një tjetër mendim, hajd të diskutojmë e të flasim. Dy gjuhë të huaja? Po e bëjmë tre ne. Ty të ka ikur e gjitha PS-ja në diplomaci o Ulsi. Më lerë rehat o burri i dheut! Puna e ambasadorëve për mua është shumë e rëndësishme dhe shumë e ndjeshme. Kush vende ka dy ambasadorë për një vend?! 700 mijë lekë një ambasador nuk mund të marrë. Dy kamberë me një derë? Jo nuk shkon! A do ketë një risi ndryshe nga ajo që duket, për këtë flasim”, përfundoi ai.

Ministrja Spiropali e kontestoi deputetin, duke i thënë se e priste që të bënte interpretime të tilla për akademitë dhe i kujtoi se gjithmonë mban qëndrime me dy standarde apo bipolike.

“E prisja atë krahasim mes akademive. Por secila akademi ka risitë e veta zoti deputet. Por ka nevojë edhe për pak ajër ndryshe. Ne e dimë se zoti Korreshi ka mendime bipolike (dystandardshe). Nuk ka asnjë shërbim të jashtëm që ka këtë akademi diplomatike dhe shërbim të këtij niveli, ndaj ky është qëllimi. Ky ligj nuk shfuqizon vetëm atë të 2015, por edhe atë të 1998 të Konsullatave e shërbimeve konsullore”, tha Spiropali.


Shtuar 9.02.2026 13:22