Inxhinieri Nazarko: Tuneli i Murrizit rrezik, çarjet vijnë për shkak të kushteve të ndërtimit

Në një intervistë për News 24, inxhinieri Romeo Nazarko, komentoi problematikat e fundit të raportuara në rrugët e vendit, si çarjet në tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit, dhe bllokimin prej 7 orësh ditën e djeshme të aksit Librazhd-Përrenjas, për shkak të rrëshqitjes së një masivi shkëmbor.

Ai theksoi se tuneli i Murrizit paraqet rrezikshmëri, duke shtuar se çarjet vijnë si pasojë e mosplotësimit të kushteve të ndërtimit.

Ai përmendi gjithashtu edhe një ekspert grek, i cili ka theksuar se në këtë tunel ka mungesë çeliku.

Nazarko akuzoi gjithashtu ministrinë e Infrastrukturës se nuk lejon krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve, një enti, që do të mundësonte analiza të pavarura.

“Për të konstatuar nga vijnë këto çarje duhet oponencë nga një ent tjetër i pavarur. Këtë shqetësim e kemi ngritur me dhjetëra herë. Ministria ka mbyllur të gjitha rrugët e komunikimit për krijimin e urdhrit të inxhinierit për të analizuar. Sot kemi mendimet e inxhinierëve të licensuar pranë ministisë së Infrastrukturës, dhe oponenca ëshë e njëanshme.

Është vërtet rrezik, vijnë për shkak të kushteve të ndërtimit të tunelit, eliminimit të të gjithë elementëve. Eksperti grek tha mungon çeliku, dikush mungojnë shtresat që bëjnë eliminimin e ujërvë nëntokësorë. Mungesa e këtyre elementëve që projektuesve iu duken elementare sjellin pasoja që kemi sot “, tha ai.

Duke u ndalur te bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas, ai theksoi se përveç ujërave, shkarjet kanë ardhur edhe për shkak të provokimit në pjesën lindore. Po ashtu ai theksoi se kompania nuk kishte marrë masa për të parandaluar rrëshqitjet.

“Rrëshqitja ka ardhur edhe për shkak të punimeve në pjesën e Korridorit 8, në pjesën lindore. Çdo vit kemi rrëshqitje gurësh e dherash por kjo nuk ishte rrëshqitje për shkak të ujërave nëntokësorë, por edhe e provokuar nga dora e njeriut. Përgjatë punimeve në Korridorin 8, dora e njeriut ka provokuar për shkak të gërmimeve dhe vibrimeve për ngjeshjen e rrugës”.


Shtuar 2.02.2026 15:28