Ina Bello largohet nga drejtimi i Tatimeve të Durrësit për performancë të dobët

Performanca e dobët në punë, ka sjellë shkarkimin nga detyra të Ina Bellos, drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës.

Ky vendim lidhet me performancën e dobët në drejtimin e institucionit dhe me mosrealizimin e objektivave të vendosura nga administrata qendrore tatimore.

Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Durrës, konsiderohet një nga strukturat më të rëndësishme në vend, për shkak të volumit të lartë të aktivitetit ekonomik dhe peshës që ka në mbledhjen e të ardhurave buxhetore.

Pikërisht për këtë arsye, çdo problem në drejtimin e saj reflektohet drejtpërdrejt në rezultatet financiare dhe në funksionimin e administratës tatimore në terren.

Sipas burimeve, gjatë periudhës së drejtimit të Ina Bellos janë konstatuar mangësi në arritjen e treguesve të performancës, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në eficiencën e kontrolleve tatimore.

Këto elemente kanë çuar në vlerësimin se drejtoria nuk ka funksionuar në nivelin e pritshëm. Largimi i saj vjen në një kohë kur administrata tatimore është nën presion për të rritur të ardhurat, për të luftuar informalitetin dhe për të garantuar trajtim të barabartë për biznesin.

Në këtë kontekst, ndryshimet në drejtimin e strukturave rajonale shihen si pjesë e një procesi më të gjerë riorganizimi dhe rritjeje të kontrollit mbi performancën e drejtuesve.

Burimet thanë se Ina Bello u katapultua si drejtoreshë Tatimesh në Durrës, pasi u keqpërdor për të goditur biznese të caktuara.

Bello i shërbeu eprorëve të saj, duke keqpërdorur funksionin si inspektore e Tatimeve VIP dhe për këtë keqpërdorje u shpërblye me postin e drejtoreshës së Tatimeve në Durrës.

Por, mesa duket, shërbimi dhe keqpërdorja nuk ishin të mjaftueshme për t’i garantuar asaj jetëgjatësi në këtë detyrë.


Shtuar 2.02.2026 10:44