BE miraton sanksione të reja ndaj Iranit: Ngrirje pasurish, ndalime udhëtimi dhe kufizime financiare

Komisioni Evropian ka përshëndetur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosjen e masave të tjera kufizuese ndaj Iranit, në përgjigje të shtypjes së vazhdueshme dhe brutale të protestuesve nga regjimi iranian.

Sipas vendimit, sanksione do të vendosen ndaj 15 personave të tjerë dhe gjashtë entiteteve. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, ndalimin e udhëtimit drejt BE-së si dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve apo burimeve ekonomike për personat dhe subjektet e përfshira në listën e sanksioneve. Bashkimi Evropian thekson se po e ndjek nga afër situatën në Iran dhe mbetet i gatshëm të vendosë masa shtesë, nëse do të jetë e nevojshme.

Këshilli ka zgjeruar gjithashtu ndalimin e eksportit, shitjes, transferimit apo furnizimit nga BE-ja drejt Iranit të komponentëve dhe teknologjive të tjera që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve dhe raketave. Këto sisteme, sipas BE-së, i furnizohen nga Irani Rusisë dhe po përdoren për të goditur civilë dhe infrastrukturë në Ukrainë.

Për më tepër, janë vendosur sanksione edhe ndaj katër individëve dhe gjashtë entiteteve të tjera për shkak të përfshirjes së tyre në programin iranian të dronëve dhe raketave. Masat përfshijnë ndalime udhëtimi për individët dhe ngrirje pasurish për individët dhe subjektet.

Masat do të hyjnë në fuqi ditën e publikimit të tyre në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe zëvendëspresidente e Komisionit, Kaja Kallas, deklaroi se sanksionet e fundit dërgojnë një mesazh të qartë ndaj regjimit iranian. “Shtypja e lirive nga Irani nuk do të mbetet pa përgjigje. Ata që janë përgjegjës për shtypjen me viktima të protestuesve, përfshirë ministrin e Brendshëm, do të përballen me pasoja ndërkombëtare. Nëse situata përkeqësohet më tej, ne jemi gati të bëjmë më shumë,” tha ajo, duke shtuar se regjimi iranian vazhdon të mbështesë regjimin diktatorial të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Edhe Komisionerja për Shërbimet Financiare dhe Unionin e Kursimeve dhe Investimeve, Maria Luís Albuquerque, vlerësoi vendimin e Këshillit. “Këto masa tregojnë qartë se BE-ja dënon pa mëdyshje reagimin e dhunshëm dhe joproporcional të regjimit iranian ndaj protestave paqësore dhe legjitime, të cilat përbëjnë shkelje serioze të të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor,” u shpreh ajo. Sipas saj, sanksionet forcojnë gjithashtu mbështetjen për Ukrainën, duke goditur ndihmën ushtarake që Irani i jep Rusisë dhe duke mbrojtur civilët, infrastrukturën dhe interesat e sigurisë së BE-së.


Shtuar 30.01.2026 17:27