Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PD Luçiano Boçi është përplasur me deputetin e PS Erion Braçe.
Ndërsa Boçi fliste për cilësinë e universiteteve shqiptare, Braçe ka replikuar duke mos qenë dakord me të dhe duke u shprehur se në 10 minuta të fjalës së tij, Boçi kishte folur më shumë për aktivitetin politik partiak sesa për rendin e ditës.
Luçiano Boçi: Meqë unë këtu dëgjova shumë lavde për universitetet shqiptare, dëgjoni këtu. Keni frikë nga e vërteta ju, se s’po e marr vesh fare. Unë kam procedurën time dhe e parashtroj vetë. Të lutem shumë, se më ikën edhe minutazhi dhe kam një informacion shumë të rëndësishëm për arsimin e lartë në kuadër të marrëveshjes. Bazuar te një organizatë, nga 1501 universitete, Shqipëria është jashtë; nga rajoni ka universitete nga Maqedonia, Serbia dhe Sllovenia.
Edhe universitete të Afrikës që kanë GDP për frymë më të ulët se Shqipëria. Është Etiopia, ndërkohë që Shqipëria pretendon që ka universitete, por nuk është te asnjë nga këto rankime. Krenohet me fjalë boshe universitete që janë thjesht iluzione se bëjnë kërkim shkencor, transmetojnë dije dhe nxjerrin diploma reale.
Erion Braçe: Zoti Boci, natyrisht që kjo është e padrejtë. Kemi që nga mëngjesi këtu, kemi kaluar vetëm 1 pikë të rendit të ditës. Këtej nga krahu juaj nuk keni thënë asgjë për aktin normativ. Ju folët 10 minuta, 9 minuta e 30 sekonda për një aktivitet politik partiak tuajin dhe 30 sekonda për aktin. Patjetër që mund ta shani qeverinë, por të paktën për këtë dokument që është këtu para, s’ke pse e shan.
