Që prej orëve të para të ditës së sotme të gjitha rrugët e Qarkut Dibër, janë nën pushtetin e mjegullës. Qarkullimi i automjeteve bëhet me vështirësi, për shkak të fushëpamjes së kufizuar.
Situata bëhet problematike nga automjetet që nuk kanë ose lëvizin pa drita të ndezura, si dhe nga këmbësorët që bëhen të vështirë për t`u konstatuar nga drejtuesit e mjeteve.
Në të gjitha akset si Burrel-Klos, rruga e Arbrit, Bulqizë-Peshkopi, ka prani të mjegullës së dendur.
Për të monitoruar qarkullimin e automjeteve që të shmangen aksidente, policia është vendosur në disa pika kyçe të këtyre akseve rrugore.
Ndërkohë, uniformat blu bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit, të mbajnë distancën e duhur, të shmangin parakalimet si dhe të mbajnë dritat e mjegullës ndezur.
Mjegulla ka qenë prezente prej disa ditësh, duke bërë që lëvizja e mjeteve të bëhet me vështirësi.
