Fusnin lëndë narkotike në qeli/ Prokuroria kërkon burg për policin dhe 2 të tjerë, zbardhet skema (EMRAT)

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka kërkuar ‘Arrest në burg’ për tre shtetasit e arrestuar një ditë më parë në Elbasan, pasi akuzohen se fusnin drogë në qelitë e burgut.

Më konkretisht bëhet fjalë për:

Ndriçim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan

Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri

Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan

Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se punonjësi i policisë së burgjeve shtetasi Ndriçim Kroi i cili kryen shërbim në regjimin e brëndshëm në IEVP Elbasan, merret me aktivitet të kundraligjshëm e konkretisht në futjen e lëndeve narkotike në regjimin e brëndshëm.

Për të kamufluar aktivitetin e tij të kundraligjshëm, ky shtetas gjatë orëve që nuk është në punë është shitës ambulant në qytetin e Elbasanit dhe shet telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë.

Në vendin ku shet, merr porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe jua sjell në IEVP Elbasanit. Në vijim të verifikimeve të kryera është marrë dhe administruar e dhëna se ai furnizon me lëndë narkotike të paraburgosurit në IEVP Elbasan. Më pas shitja dhe shpërndarja e lëndës narkotike bëhet në regjimin e brendshëm nga të paraburgosurit.

Nga Prokuroria u mor dhe administrua informaconi se shtetasi Ndriçim Kroi këtë veprimtari të kundraligjshme në futjen e lëndës narkotike në regjimin e brendshëm e bën gjatë marrjes së shërbimit turni i tretë dhe ditën e shtunë dhe të diel ku në institucion nuk ka personel të administratës.

Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, vëzhgime, dokumentim filmik, veprime simuluese dhe akte ekspertimi, rezultoi se në kryerjen e këtij aktiviteti ai bashkëpunon me shtetasen Esmeralda Komici, e cila e paguan për të futur lëndë narkotike në burg. Shumat variojnë 100-200 mijë lekë të vjetra. Kjo shtetase tregon se si i dashuri i saj, i identifikuar si Gerald Stamolla, shet lëndë narkotike në IEVP Elbasan me çmime të ndryshme.


Shtuar 24.01.2026 10:18