Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e paraqitur nga Kryeministri Rama për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut.
Objekti i gjykimit kushtetues, lidhet me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Belinda Ballukut.
Në qëndrimin e saj zyrtar, GJKKO vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri.
Sipas gjykatës, në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të marrë pjesë si palë për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur vendime të dhëna prej saj.
“Në vendimmarrje, gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe të aftë të veprojnë pa ndikim të papërshtatshëm, presione, kërcënime ose ndërhyrje, të drejtpërdrejta ose jo, nga kushdo dhe për çfarëdo arsye. Gjyqtarët duhet të kenë liri të plotë për t’i vendosur rastet me paanësi, në përputhje me ndërgjegjen dhe interpretimin e tyre për faktet dhe në zbatim të normave të së drejtës. Gjykata Kushtetuese është shprehur, se pushteti gjyqësor ushtrohet i shkallëzuar sipas parimit të kontrollit të vendimeve gjyqësore të gjykatave më të ulta nga gjykatat më të larta. Vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykata më e lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojё ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë”, thekson në arsyetim GJKKO.
GJKKO thekson se pjesëmarrja e saj si palë e interesuar në një proces kushtetues, do të cenonte parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, si dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

