SHBA nuk ka pezulluar vizat, por lejet e qëndrimit për punë/ Rama: Nuk ka lidhje me çfarë u tha nga ato që hidhen përpjetë

Ditën e sotme, në fjalën e tij në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama, tha se SHBA nuk ka ndaluar vizat për Shqipërinë, por sipas tij, ka një pezullim të përkohshëm.

Gjithashtu, nënvizoi se kjo është një politikë e administratës së Trump që ka të bëjë me pezullim të përkohshëm të leje të punës dhe jo vizave në Amerikë.

“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që në përpjetësinë e tyre i shtuan hedhjeve edhe një të radhës: dezinformim, çorientim të opinionit dhe helmin e atyre që kanë fuqi t’i dëgjojnë, duke thënë se Amerika ndaloi vizat për Shqipërinë. E pavërtetë.

SHBA nuk ka ndaluar vizat për Shqipërinë. Administrata aktuale, nën orientimin e Trump për politikën e emigracionit, ka vendosur që për 75 vende të bëjnë një pezullim të përkohshëm sa i përket lejeve të punës në SHBA. Jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, biznes dhe mosrespektimit të afateve dhe qëndrimit atje. Kjo shkon në linjën normale të presidentit Trump dhe nuk ka pikë lidhje me ato që u thanë nga ato që hidhen përpjetë, dhe kur të bien në tokë do të shohin se terreni që po shohin është i rrëshqitshëm dhe do hidhen përpjetë lart e më lart”.


Shtuar 18.01.2026 10:13