EMRAT/ Ky është 30-vjeçari që e mori rrjedha e ujit gjatë aksidentit në Klos, u braktis nga shoku i tij pas rënies së makinës në përrua (FOTO+VIDEO)

Personi që shihni në foto, është 30-vjeçari Jurgen Karaj, i cili rezulton i zhdukur pasi makina ku ndodhej si pasagjer, ra në një përrua në fshatin Dars të Klosit.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur mjeti tip “Audi” me targa angleze, humbi kontrollin dhe përfundoi në ujë.

Së bashku me Karajn në makinë, ishte edhe 24-vjeçari Andi Losha, drejtuesi i automjetit. Losha ka arritur të dalë vetë nga makina dhe ka shpëtuar, ndërsa dyshohet se Karajn e ka marrë rrjedha e përroit.

Policia e ka arrestuar 24-vjeçarin, pasi ai u largua nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej ende në automjet.

Testi i alkoolit e ka nxjerrë atë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt vijojnë .

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Njoftimi:

“Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24-vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30-vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24-vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.

 


Shtuar 10.01.2026 11:48