Tragjedia me 47 viktima në Zvicër/ Dëshmia tronditëse e të riut: Zjarrfikësit po qanin, ishte më keq se…

Pak pas orës 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri, një zjarr i fuqishëm përfshiu barin “Le Constellation” në vendpushimin Crans-Montana, duke shkaktuar mbi 47 viktima dhe 115 të plagosur.

Dëshmia e një 19-vjeçari italian, i cili ndodhej aty pranë, ka tronditur opinionin publik.

I riu Gianni, student i inxhinierisë mekanike në Gjenevë, thotë se mori vesh ngjarjen nga një shoqe e tij, e cila kishte mbërritur në bar pak minuta pas shpërthimit.

“Ajo dëgjoi shpërthime të forta dhe pa flakë. E kuptova menjëherë se ishte diçka shumë serioze”, rrëfen ai për gazetën L’Essentiel.

Ai arriti në vendin e ngjarjes përpara se të mbërrinin ekipet e emergjencës. Sipas tij, situata përkeqësohej minutë pas minute.

“Njerëzit ishin shtrirë përtokë, të plagosur dhe të djegur”, kujton i riu, i cili ofroi ndihmën e tij duke qenë se kishte pak përvojë në mbrojtjen civile.

Për të ndihmuar të plagosurit, kalimtarët krijuan barela të improvizuara me pajisje nga lokali, ndërsa mungesa e personelit dhe pajisjeve e bëri situatën edhe më të vështirë.

“Ndonjëherë na duhej t’i linim njerëzit në tokë për të shpëtuar ata që ishin ende brenda”, tregon ai, duke folur për skena kaotike.

Operacionet e shpëtimit zgjatën deri në orën 05:00, në temperatura deri në –11°C.

“Po kërkoja batanije në baret aty pranë”, thotë i riu, i cili shton se plagët e rënda bënë thuajse të pamundur identifikimin e viktimave.

Gianni beson se ndihma e tij shpëtoi jetë, edhe pse pranon se përjetimet e asaj nate do ta shoqërojnë gjatë. Ai shprehet i zhgënjyer që nuk iu ofrua asnjë mbështetje psikologjike apo mjekësore pas ngjarjes, pavarësisht se kishte qenë i ekspozuar ndaj tymit.

“Jam i sigurt se kam ndihmuar njerëz. Shumë pak civilë erdhën për të ndihmuar, vetëm tre ose katër”. Edhe profesionistët, thotë ai, u tronditën.

“Zjarrfikësit po qanin. Ishte më keq se një film horror. Adrenalina më mbajti gjallë gjithë natën. Ende nuk e kam kuptuar”, thotë ai, duke shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes pas incidentit.

“Nuk më ofruan asnjë ndihmë apo kujdes mjekësor, edhe pse isha ekspozuar ndaj tymit. I vetmi person që më foli ishte një oficer policie i cili më kërkoi të largohesha”.

Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore raportuan se situata ka qenë një nga më të rëndat e dekadave të fundit në zonë. Hetimet për shkaqet e tragjedisë vijojnë.


Shtuar 2.01.2026 08:23