Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, u pyet nëse Ergys Agasi ka qenë apo jo pjesë e skuadrës së AKSHI-t, që ai e quajti një ‘skuadër të suksesshme’.
Ai nuk pranoi të japë shumë komente për të, por vlerësoi drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, që siç deklaroi e njeh prej 20 vitesh.
Rama tha se Karçanaj ndodhet me masë sigurie “arrest ne shtëpi” ne një banesë me qira.
Sipas tij, Karçanaj “është protagonistja e transforimit dixhital të Shqipërisë me një respekt ndërkombëtar”.
“Unë nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërteta që dalin lart e poshtë, do bëhen hetime, do bëhet gjykim dhe është një proces që do tregohet në fund.
Unë di që gjë që në krye të skuadrës së AKSHI-t është një grua që ka respektin tim të padiskuteshëm, Linda Karçanaj, e cila është në masë sigurie në një shtëpi me qira ku jeton, pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë që dikur ishte e prindërve në një apartament të kohës së komunizmit. E njoh prej 20 vitesh, punon pa orar dhe që ka udhëhequr këtë transformim që është epokal për Shqipërinë. Këtë di ta them me plot gojën. Është protagonistja e transforimit dixhital të Shqipërisë me një respekt ndërkombëtar.
Për pjesën tjetër që ju më pyesni unë po e përsëris, çfarë thoni ju sot, bazuar në copëza të nxjerrë rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin e hetimor nuk është mjaftueshme për të dalë mbi fajin apo pafajësinë e njerëzve. E kujdo qoftë. Janë çerek të vërteta sepse gjëja është shumë më e madhe. Kjo është e njohur ka ndodhur edhe në vendet e tjera”, tha Rama.
