Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Bëhet fjalë për: Adela Hysenaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; Anisa Cjapi, Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe Vasil Çeku, Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.
Sipas organit të akuzës, hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.
Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.
Ndërsa, Anisa Cjapi, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, Vasil Çeku, ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:
-Adela Hysenaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;
-Anisa Cjapi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
-Vasil Çeku, i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
