Pas 2 orësh, deputetja e PS Olta Xhaçka largohet nga SPAK

Ish-ministrja e Jashtme dhe Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme,  aty ku u paraqit mëngjesin e kësaj të marte.

Xhaçka ka dalë nga SPAK, ndërsa ka refuzuar të flasë për gazetarët, duke mos dhënë asnjë koment mbi arsyet përse është paraqitur në institucionin e drejtësisë.

Ndërkohë sipas raportimeve, thuhet se Xhaçka është thirrur në SPAK për hetimet mbi Portin e Limionit.

Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.

Baza detare e Sarandës, do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura, për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë.

Kujtojmë gjithashtu se ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Agaçi, janë ngritur edhe akuza lidhur me privatizimin e tokave në Himarë ku do ndërtohej resort turistik, dhe mbi të cilën morën statusin e investitorit strategjik nga Edi Rama.


Shtuar 23.12.2025 12:36