Lanë takim për t’u “sqaruar” pas mësimit, sherr me grushte mes nxënësve në Shkodër

Një tjetër incident ku janë përfshirë nxënës ka ndodhur në Shkodër, ku dhjetëra adoleshentë janë përfshirë në një sherr fizik.

Ngjarja ka ndodhur të premten, kur disa nxënës nga zona e Vau Dejës, pas përfundimit të mësimit, kishin lënë takim për të “sqaruar” konfliktet mes tyre.

Ata u takuan pranë vendqëndrimit të furgonëve, me të cilët udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës dhe në kthim, kur nisën të godisnin njëri-tjetrin me grushte e shqelma.

Në pamje shihen dy grupe adoleshentësh që fillimisht përplasen me grushte ndërsa dy prej tyre i shtrijnë në tokë, por situata përshkallëzohet dhe njëri prej tyre shihet duke mbajtur në dorë një thikë.

Ai nxjerr armën e ftohtë, vendos kapuçin e xhaketës në kokë dhe tenton të sulmojë grupin rival.

Fatmirësisht, nga ky konflikt nuk ka persona të plagosur apo të dëmtuar nga thika. Ndërhyrja e një zonje ka bërë që përplasja mes tyre të marrë fund, duke shmangur pasoja më të rënda.


Shtuar 20.12.2025 14:54