Liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Samiti organizohet në prag të mbledhjes së fundit të Këshilit Evropian për këtë vit. Në këtë Samit i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri Edi Rama.
Sipas BE-së, samiti do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve strategjike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet që ato u sjellin qytetarëve.
Në përfundim të samitit do të miratohet Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me të cilën pritet që partnerët e Ballkanit Perëndimor të harmonizohen.
Në samit do të theksohet rëndësia e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje edhe më të forta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Pritet që BE-ja të riafirmojë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe progresin e arritur në procesin e zgjerimit, të pasqyruar në raportin më të fundit të Komisionit Evropian.
Gjithashtu për diskutim pritet të jetë dhe situata politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, prapambetja demokratike në Serbi si dhe Kosova, e cila brenda vitit shkon 2 herë në zgjedhje të përgjithshme.
Ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor, do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi.
Axhenda
16:30 Mbërritja e liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor
18:00 – Tryeza e rrumbullakët
19:30 Konferenca për shtyp Ursula Von der Leyen dhe Antonio Costa
