Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar këtë të enjte Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare që lidhet me deputeten dhe njëherazi zëvendëskryeministren Belinda Balluku. SPAK kërkon autorizimin e Parlamentit për heqjen e imunitetit të saj, si dhe lejen për masë arresti ose kufizim të lirisë.
Të premten Komisioni i Mandateve dhe Imuniteteve pret Prokurorinë e Posaçme për shqyrtimin e çështjes.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
