Shqipëria po synon të afrojë dy futbollistë të talentuar që po spikasin në Zvicër: Lutfi Dalipin e Vaduzit dhe Samuel Krasniqin e Grasshoppersit.
Në ndeshjen mes Grasshoppersit dhe Vaduzit, e mbyllur në barazim 2-2, ishin të pranishëm presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe përzgjedhësi Ronaldo Maran. Të dy lojtarët patën paraqitje solide, ndërsa gazeta “Blick” i kërkoi Federatës Zvicerane të mos qëndrojë pa reaguar ndaj interesimit shqiptar.
Të lidhura
None found
Sipas “Blick”, mes tifozëve ndodhej një delegacion i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili kishte ardhur për të ndjekur nga afër Krasniqin dhe Dalipin. Të dy futbollistët ishin pjesë e Zvicrës U21 gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar.
Prania e delegacionit i habiti edhe trajnerët e dy klubeve, të cilët kërkuan që lojtarët të mbrohen nga presioni. Marc Schneider, trajneri i Vaduzit, u shpreh se në verë pothuajse askush nuk e njihte Lutfin, ndërsa tani vëmendja ndaj tij është shtuar shumë. Sipas tij, situata nuk është e lehtë për lojtarin dhe ai duhet mbrojtur.
Olaf Janssen, në krye të Grasshoppersit, tha se beson që Krasniqi nuk do ta ndryshojë qëndrimin. Ai shtoi se çdo futbollist ëndërron të përfaqësojë kombëtaren që në moshë të re, ndaj mbetet për t’u parë nëse sjellja e lojtarëve do të ndryshojë apo do të mbetet e njëjtë.
Janssen tha gjithashtu se po përpiqet t’ia lehtësojë presionin Krasniqit, i cili ka nevojë për mbështetjen e tij dhe të ekipit.
Përveç Zvicrës dhe Shqipërisë, të dy lojtarët mund të zgjedhin edhe Kosovën. Deri tani, asnjëri nuk ka marrë një vendim përfundimtar.






