Kërkohet shtyrja e afateve për votimin e diasporës në Kosovë, LVV kundërshton: Nënkupton dështim të procesit

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kërkuar shtyrja e pikës 3.1 të rendit të ditës, që lidhet me shqyrtimin e opsioneve dhe afateve për votimin me postë për Zgjedhjet e Parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Kjo kërkesë ndezi debat mes përfaqësuesve të partive politike në KQZ.

Anëtari i kryesisë së LVV-së, Alban Krasniqi, paralajmëroi se çdo shtyrje e vendimit mund ta rrezikojë seriozisht procesin e votimit të diasporës. Sipas tij, afatet aktuale tashmë janë shumë të ngushta dhe çdo vonesë shtesë “nënkupton dështim të procesit”.

“Ne jemi buzë një procesi që mund të pengojë të drejtën e mërgatës për të votuar. Afatet e paraqitura rrezikojnë dërgimin e zarfeve dhe gjithë procedurën. Sot është 6 dhjetor dhe stafi po punon mbi 12 orë. Çfarëdo vonese e rrezikon votimin e mërgatës”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, anëtari Muharrem Nitaj kujtoi se ekziston një opsion alternativ – dërgimi i fletëvotimeve përmes platformës elektronike – duke shtuar se nuk mund të parashikohet paraprakisht nëse posta do të dështojë apo jo.

“Nuk mund të paragjykojmë. Nëse dështon posta, atëherë duhet të kthehemi dhe të vendosim. Nuk dua të votoj me paketë pa ditur efektet”, tha ai.

Përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti, tha se ende nuk janë dhënë garanci teknike dhe ligjore për funksionimin e dërgimit të fletëvotimeve përmes platformës elektronike, duke kërkuar sqarime të mëtejshme.

Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Gashi, theksoi se nuk duhet zgjedhur “rruga më e lehtë” në dëm të integritetit të procesit zgjedhor. Ai paralajmëroi se çdo procedurë alternative duhet të garantojë siguri të plotë për rezultatet e votimit nga diaspora.


Shtuar 6.12.2025 20:03

Tags: ,