Viti 2025 ka shënuar një kapitull të veçantë në botën e muzikës, ku zbulimi i artistëve të rinj, rritja e platformave streaming dhe ndryshimet në shijet e publikut kanë krijuar një panoramë të re muzikore. Si çdo fundvit, një nga platformat më të mëdha globale, Spotify, ka publikuar përmbledhjet e shumëpritura vjetore për përdoruesit e saj raportin “Spotify Wrapped”.
Ky raport personal u ofron përdoruesve një pasqyrë të detajuar mbi preferencat e tyre muzikore, duke përfshirë artistët më të dëgjuar, këngët që kanë dominuar listat personale dhe numrin total të minutave të shpenzuara në dëgjimin e muzikës gjatë vitit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga “Spotify”, artisti më i dëgjuar global i vitit 2025 është shpallur Bad Bunny. Reperi portorikan ka arritur një rezultat mbresëlënës, duke u dëgjuar plot 19.8 miliardë herë në mbarë botën.
Ky sukses e konfirmon sërish Bad Bunny-n si një prej artistëve më me ndikim të dekadës së fundit, krijues i hiteve që kalojnë kufij, gjuhë dhe kultura.
Spotify njofton se albumi i tij më i fundit, “DeBÍ TiRAR MáS FOTos”, është shpallur edhe Albumi më i Mirë Global i vitit 2025, duke shënuar një tjetër fitore historike për artistin. Sipas gjigantit të muzikës, ky album pasqyron “përqafimin mbarëbotëror të kulturës dhe muzikës vibrante të Porto Rikos”, e cila vijon të fitojë terren dhe influencë të fuqishme në tregun ndërkombëtar.
Përveç suksesit global të artistëve të mëdhenj, 2025 ka qenë një vit tejet i pasur edhe për zbulimin dhe promovimin e talenteve të rinj. Falë algoritmeve të avancuara të platformës dhe listave të personalizuara, shumë artistë të rinj kanë gjetur mundësinë të depërtojnë tek publiku ndërkombëtar.
