Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një deklaratë të fortë këtë martë, kur ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron një luftë me fuqitë evropiane, por nëse Evropa dëshiron një luftë, atëherë Rusia është gati tani për t’u ndeshur.
Sipas tij, fuqitë evropiane po bënin kërkesa për një zgjidhje të mundshme paqeje për Ukrainën, të cilat Moska i konsideron absolutisht të papranueshme.
Kjo deklaratë e sotme e presidentit rus vjen pak ditë pasi ai u shpreh publikisht, gjatë një samiti, se Europa mund ta bënte gjumin e qetë sepse Rusia nuk kishte plane për të sulmuar Europën, as tani dhe as në të ardhmen.
Sot, Vladimir Putin e ka akuzuar tashmë Evropën për “pengimin” e propozimeve të paqes nga Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se ato nuk kanë një “axhendë paqësore”. Ndërkohë presidenti ukrainas është shprehur se Putin po përgatit një “luftë të madhe” në Evropë në vitin 2029 ose 2030.
Asgjë që kanë bërë deri më tani aleatët e NATO-s – sanksionimi i Rusisë dhe dërgimi i më shumë armëve në Ukrainë, apo përpjekjet për negociata – nuk ka bërë punë për të ndaluar Vladimir Putin. Zelensky është përballë “sfidës së madhe”, ndërkohë që ajo që e pret në të ardhmen Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës është një enigmë që një numër ekspertësh janë përpjekur ta zgjidhin.
Sipas ekspertëve dhe mediave europiane, Rusia parashikon të ndërmarrë një “operacion të ri ushtarak special” kundër NATO-s.
Sipas parashikimit, Rusia pushton Moldavinë, nëpërmjet qeverisë kukull të Transnistrisë, duke vendosur ushtarë të Koresë së Veriut të dërguar si një nder nga Kim Jong-un. Zelensky më parë ka paralajmëruar se Moldavia, së bashku me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, mund të jenë objektivat e radhës të Putin pas Ukrainës.
