Detaje të reja dalin në dritë, nga seanca që po mbahet në GJKKO për zv/kryeministren Belinda Balluku dhe dy drejtorët e saj, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi.
Burime bëjnë me dije se në seancë Balluku nuk ka preferuar të shprehet, përveçse prezantimit paraprak dhe paraqitjes së avokatëve të saj.
Po të njëjtat burime konfirmojnë se në seancën me dyer të mbyllura, ka debate të forta, mes avokatëve të Ballukut dhe prokurorit Dritan Prençi.
Thuhet se pavarësisht pretendimeve të palës mbrojtëse, prokurori i çështjes këmbëngul se duhet të qëndrojnë në fuqi masat e dhëna, madje ky i fundit ka deklaruar se ka prova të reja për këtë proces.
Seanca për Ballukun vijon prej orës 9:00 të mëngjesit të sotëm, ku parashikohet marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve të masës së sigurisë.
Numri dy i qeverisë Rama, u pezullua nga detyra dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.
Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur prej datës 31 tetor 2025 dhe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publikë”, në bashkëpunim me vartësit e saj, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
SPAK ka ngritur ndaj saj edhe një akuzë të dytë, që lidhet me dyshime për abuzime me tendera në lotin 4 të Unazës së Madhe.

