Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin ndaj Gilmando Danit ditën e djeshme në aeroportin e Rinasit, ku mbeti i vdekur ky i fundit dhe i plagosur rëndë Mustafa Sheqeri.
Gazetarja Alketa Shaba, ka ndarë informacione të reja në emisionin Breaking në Top News, ku ka shpjeguar se atentati i djeshëm po hetohet edhe si një paralajmërim ose mesazh i personave specifik për Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg.
Veç kësaj pistë hetimi, janë edhe konflikte të vjetra pasi viktima ishte një person i njohur për autoritetet dhe ka vuajtur dhe një dënim prej 10 vitesh burg, gjithashtu i janë bërë edhe dy atentate më herët.
“Gilmando Dani ishte një person problematik. Ai që nga viti 2005 ka qenë pjesë e ngjarjeve kriminale, madje është shoqëruar disa herë në polici dhe është dënuar me burg. Ka qenë gjithashtu një person mbi të cilin janë kryer atentate dy herë dhe ka qenë pjesë e grupit të Emiljano Shullazit. Dani u lirua në vitin 2024 pasi kreu dënimin prej 10 vjetësh burg. Sa i përket ngjarjes së djeshme, dyshohet se mund të ketë qenë një konflikt i vjetër, ose një sinjal ose paralajmërim për dikë që mund të ketë pasur si qëllim të paralajmëronte Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg”, shprehet gazetarja.
