Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Elvis Shakmbi, në një letër nga burgu ka shprehur keqardhje për dhimbjen që ka shkaktuar.
Gjithashtu, ai shpreh ngushëllime familjes Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit.
Ai shprehet se ajo çfarë ndodhi në ditën e ngjarjes, ishte një reagim i palogjikshëm kundër një vendimi po aq të palogjikshëm.
“Do e them dhe do e përsëris sa të kem frymë, vendimi ishte më shumë se skandaloz”, thekson ai.
“Me vendimin paraardhës, i cili u la në fuqi në datë 6.10.2025 është synuar grabitja e titullit ekzekutiv, pra pavlefshmëria e tij, një gjë e cila nuk mund të lëshohet në asnjë situatë nga personi i tretë, siç ishte rasti i kundërshtarëve tanë në gjyq. Nëse vendimi i gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Shkodër ishte një produkt edhe i paditurisë, vendimi i datës 6.10.2025 për ta lënë në fuqi nuk ishte nga padituria, por i ndikuar nga faktorë të tjerë.
Prej 13 vitesh, xhaxhai im, Gjon Shkambi ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor në Shqipëri, në një kohë kur unë mundohesha t’i jepja fund këtij eksperimenti, gjykata e apelit e juridiksionit të përgjithshëm tiranë vendosi vazhdimin e atij eksperimenti.
Ai vendim gjykate bie haptazi ndesh me kodin civil të republikës së Shqipërisë, kodin e procedurës civile, vendimet unifikuese të kolegjeve të bashkuara të gjykatës së lartë dhe të kolegjit civile, vendimet e gjykatës europiane për të drejtat e njeriut dhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, shkruan ndër të tjera Shkambi.






