Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të dënojë ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, për përfshirje në aferën e Inceneratorit të Tiranës. Bllako është dënuar me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg. Përveç kësaj, ish-deputetit i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Hetimet e SPAK-ut, të përfunduara në nëntor të vitit të kaluar, zbuluan se Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, kishte kryer korrupsion pasiv në dy raste lidhur me kontratën koncensionare të vitit 2017 për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit në Tiranë.
Bllako akuzohet për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publikë” në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në datë 20 dhjetor, GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Bllakos, për korrupsion kryer në dy raste.
Nga hetimet, ka rezultuar se Bllako në cilësinë e sekretarit të ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën prej 120 mijë euro për favorizimin që i ka bërë dy pronarëve që përfituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit. Ndërsa në rastin e dytë, ka rezultuar se Bllako i ka kërkuar rryshfet Klodian Zotos, shumën prej 7.5 milionë Lekësh për llogari të Vladimir Bezhanit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.
Në muajin prill, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit. Bllakos iu caktua dënimi me 2.8 vite burg dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për këtë aferë. Ndërkohë që është dënuar me 2.8 vite burg për inceneratorin e Fierit
