Mbrëmjen e kësaj të diele, aksi Balldren-Milot po përballet me një fluks të madh automjetesh. Sipas raportimeve, trafiku i rënduar ka nisur që prej orës 16:00 dhe vijon të jetë i pranishëm edhe në orët e mbrëmjes.
Në disa pika kyçe të rrugës janë angazhuar shërbimet e policisë rrugore dhe të rendit, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së automjeteve dhe rregullimin e qarkullimit.
Burime nga policia bëjnë me dije se ky trafik i dendur vjen si pasojë e kthimit të qytetarëve nga zonat bregdetare, të cilat janë frekuentuar gjatë fundjavës për shkak të motit të ngrohtë.
Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, trafiku i rënduar në rrugët e Lezhës vijon të mbetet një problematikë e përsëritur, që po shfaqet edhe në ditët e para të nëntorit.
