Aksidenti i rëndë në Elbasan, humb jetën në spital 22-vjeçari (EMRI)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Elbasan, ku një 22-vjeçar humbi jetën tre ditë pas një aksidenti rrugor. Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është Klaus Veliaj, 22-vjeç nga Elbasani.

Ngjarja ndodhi fundjavën e kaluar në fshatin Letan, në njësinë administrative Bradashesh, ku motomjeti që ai drejtonte u përplas me një automjet bujqësor.

Për pasojë, mbetën të plagosur edhe drejtuesi i mjetit bujqësor dhe një person tjetër, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, i riu Veliaj, që punonte në sektorin privat në një njësi shërbimi në qytetin e Elbasanit, pësoi dëmtime të rënda dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 22-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë tri ditë pas aksidentit tragjik.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.


Shtuar 28.10.2025 10:28