Përmbytjet në Shkodër, Ministria e Mbrojtjes: Situata është drejt normalizimit

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin pas reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, qarku më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë është Shkodra, ku ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura (FA) kanë qenë në terren që prej mëngjesit.

Njoftimi i MM-s:

Strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.

Qarku Shkodër rezulton më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë.

Që nga mëngjesi i sotëm ekipet e AKMC dhe FA kanë ndjekur në terren situatën në bashkinë Vau Dejës, ku aktualisht situata është drejt normalizimit.

Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.

Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.

Gjithashtu po punohet në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve në akset ku ka patur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturat e emergjencave civile te bashkive dhe institucioneve në varësi janë në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.


Shtuar 26.10.2025 17:04