Hajrulla Xhivini, emri i të cilit u bë publik rreth një vit më parë, kur garoi për drejtues të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kthyer në një shqetësim për gjyqtarët dhe punonjësit e policisë.
Në një procedim të hapur nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Xhivini po hetohet për telefonata shqetësuese ndaj gjyqtarit Gerd Hoxha, Edison Tatoshaj, si dhe punonjësve të rendit të Ministrisë së Brendshme.
Sipas dëshmisë së gjyqtarit Tatoshaj, më 17 shkurt 2024, Xhivini i ka shkruar mesazhe me ton kërcënues, pasi ky i fundit kishte një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative. Ai deklaron se nuk i është përgjigjur asnjëherë telefonatave të Xhivinit. Në qershor të po atij viti, kallëzim ka bërë edhe kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha. Sipas tij, është shqetësuar nga mesazhet që ka marrë për shkak të një vendimi gjyqësor lidhur me kallëzimin ndaj Hajrulla Xhivinit.
Nga kqyrja e platformave të rrjeteve sociale, janë konstatuar materiale video të publikuara në periudha të ndryshme, ku Xhivini shkon në mënyrë të përsëritur pranë godinës së Gjykatës së Lartë, pret momentin kur do të hyjë ose të dalë drejtuesi i këtij institucioni, Sokol Sadushi, dhe filmon automjetin me të cilin udhëton.
Sipas të dhënave, Xhivini, përveç Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, i ka shkruar SMS personave të ndryshëm publikë, ndër ta Ministrit të Drejtësisë, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, etj. Ai u dërgon mesazhe të vazhdueshme në aplikacionin WhatsApp, i fut personat në grupe chati dhe, pasi ata dalin nga grupi, Xhivini ka bërë screenshot bisedave dhe i ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social TikTok.
Për këtë shtetas, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ku ndaj tij rëndojnë akuzat: “Kanosja për shkak të detyrës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
