Presidenti francez Emmanuel Macron ka marrë një qëndrim të kujdesshëm ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përfshirë mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sipas një artikulli të botuar nga revista Politico Europe, Macron po përdor çështjen e zgjerimit si element të politikës së brendshme, ndërkohë që i afrohen zgjedhjet dhe rritet ndikimi i ekstremit të djathtë.
Në tekst theksohet se frika nga përparimi i partisë së ekstremit të djathtë në Francë dhe nga protesta si ajo e fermerëve kanë bërë që Elysée të rishikojë përkrahjen e tij publike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Macron është cituar duke shprehur shqetësimin se çdo diskutim për anëtarësimin e Shqipërisë apo Malit të Zi do të përbënte një “dhuratë” për kundërshtaren e tij, Marine Le Pen.
Ky qëndrim shënon një kthesë të qartë: Macron, dikur i pozicionuar si vizionari i integrimit europian të Ballkanit, tani kërkon reforma të thella të procesit të anëtarësimit para përthithjes së vendeve të reja.
Për Shqipërinë dhe Malin e Z i kjo përbën një pengesë strategjike në rrugën drejt BE-së. Një pjesë e diplomatëve europianë shprehen se qëndrimi i Francës vjen si rezultat i kombinimit të politikës së brendshme dhe të dinamikave europiane. Sidoqoftë, Macron vazhdon të flasë për rëndësinë strategjike të Ballkanit, por kërkon që struktura europiane të reformohet përpara zgjerimit.