Meta shkurton 600 vende pune në departamentin e Inteligjencës Artificiale

Kompania Meta, që zotëron platformat Facebook dhe Instagram, ka vendosur të shkurtojë rreth 600 vende pune në sektorin e saj të dedikuar për inteligjencën artificiale (AI), në kuadër të një procesi të brendshëm riorganizimi pas një periudhe të gjatë rekrutimesh. Lajmi u bë i ditur nga disa media amerikane të mërkurën.

Sipas gazetës New York Times, vendimi synon të “zvogëlojë fryrjen organizative” që u krijua pas fushatës së gjerë të punësimeve me qëllim forcimin e kapaciteteve të kompanisë në fushën e AI-së.

Wall Street Journal raporton se shumicës së punonjësve të prekur do t’u ofrohet mundësia të transferohen në departamente të tjera brenda kompanisë.

Të dy mediat citojnë një memo të brendshme të drejtorit të përgjithshëm për inteligjencën artificiale në Meta, Aleksandër Uang, ku theksohet se këto shkurtime do të ndihmojnë në thjeshtimin e procesit të vendimmarrjes, duke reduktuar nevojën për “shumë nivele diskutimesh”.

Meta nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për këtë zhvillim, sipas agjencisë AFP.

Grupi i themeluar nga Mark Zuckerberg po investon miliarda dollarë në teknologjitë e inteligjencës artificiale, duke synuar të forcojë pozitat e tij në garën për zhvillimin e t. ashtuquajturës “superinteligjencë” – një formë e avancuar AI që mund të tejkalojë aftësitë njohëse njerëzore.

Në shtator, Meta prezantoi një model të ri syzesh inteligjente me ekran të integruar dhe funksione të gjera AI, duke vijuar përpjekjet për të bashkuar botën reale me atë dixhitale.

Ndërkohë, në gusht kompania njoftoi krijimin e një organizate në Kaliforni për të mbështetur kandidatë lokalë që mbrojnë një rregullim më të lehtë të teknologjisë së inteligjencës artificiale, duke përmendur si arsye konkurrencën e ashpër me kompanitë kineze.


Shtuar 23.10.2025 11:36