Gjashtë komisione parlamentare do të zhvillojnë sot mbledhje, gjatë të cilave do të trajtohen projektligje, zbatimi i legjislacionit, planet e punës dhe çështje të tjera që lidhen me përgjegjësitë e tyre.
Mbledhjen e parë do ta zhvillojë Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, në orën 10:00. Anëtarët do të shqyrtojnë në parim Projektligjin për efiçiencë të energjisë, vendimin e presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe konkursin për drejtor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU). Në këtë takim do të raportojë edhe kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, për gjendjen në institucion.
Të lidhura
None found
Në orën 10:30 do të mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në rend dite janë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, miratimi i rendit të ditës dhe ai i procesverbalit të mbledhjes së kaluar.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë e ka planifikuar mbledhjen në orën 11:00. Krahas miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së kaluar, deputetët do të diskutojnë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe grupet e miqësisë.
Dy komisione do të mblidhen në orën 12:00. Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur do të ketë në qendër të diskutimit shqyrtimin dhe miratimin e draft-planit të punës së Komisionit Funksional.
Po në orën 12:00, Komisioni për Arsim dhe Shkencë do të shqyrtojë planin e punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026, ndërsa në rend dite janë përfshirë edhe çështje të tjera.
Mbledhja e fundit do të zhvillohet në orën 13:00 nga Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport. Ky komision do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.





