Zbardhen emrat e katër të arrestuarve për vrasjen e dyfishtë në Manzë të Durrësit

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në Manzë të Durrësit, ku pas një konflikti për motive të dobëta, mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Aranit Kurti., 23-vjeç, dhe Flori Paluçi, 33-vjeç, të dy banues në Manëz.

Uniformat blu, njoftojnë se janë zbardhur identitetet e katër të arrestuarve për vrasjen e dyfishtë të në Manzë.

Bëhet fjalë për shtetasit: Erald Cani, Ergi Kadiu, Taulant Beqja, Emirjan Beqja, dy të fundit vëllezër me njëri tjetrin.

Mësohet se katër të arrestuarit do të përballen me akuzat përkrahje e autorit, moskallëzim krimi dhe armëmbajtje pa leje.

DINAMIKA E NGJARJES

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamerierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamerieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe. Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamerierit.

Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh, pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.

NJOFTIMI I POLICISË

Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas. Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt. Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin D. P. (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve). Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:

-E. C., 25-vjeç dhe E. K., 21-vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37-vjeç dhe E. B., 34-vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:

D. P., 21-vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

G. A., 30-vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..

Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.