Ndeshja “Shqipëri-Jordani”/ Policia plan masash, kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa akse

Policia e Tiranës, ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e ndeshjes “Shqipëri–Jordani”, e cila do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Uniformat blu, bëjnë me dije se o të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit, në disa akse rrugore përreth stadiumit.

Njoftimi:

Me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimin e mbarëvajtjes së ndeshjes miqësore së futbollit “Shqipëri–Jordani”, e cila do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit, në disa akse rrugore përreth stadiumit.

Konkretisht, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të kufizohet qarkullimi në:

Rrugën “Dervish Hima”;

Rrugën “Gjergj Filipi”;

Segmentin pranë Hotel “Marriott”, që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,

Rrugët anësore përreth stadiumit, përfshirë kahun nga Hotel “Sheraton”.

Policia e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kufizimet, si dhe u bën thirrje të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse.

Gjithashtu, apelon për tifozët dhe sportdashësit që do të ndjekin ndeshjen, t’iu binden udhëzimeve të punonjësve të Policisë, me qëllim mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë.


Shtuar 14.10.2025 12:20