Nga biseda me kreun e Realit të Madridit, tek siguria kibernetike, Rama komenton lajmet e kësaj jave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të diel episodin e dytë të podcastit “Flasim” në rrjetet ssociale, ku komentoi ngjarjet më të rëndësishme të javës që po lëmë pas.

LAJMET NGA RAMA

1. Real Madrid Albania

Para pak ditësh pata kënaqësinë të vizitoj klubin e Realit të Madridit, me ftesë të Presidentit Florentino Perez. Së shpejti do të hapet rruga që pas Akademisë së Manchester City edhe shkolla e famshme e futbollit e Realit të Madridit të vijë në Shqipëri. Jo në Durrës po në Vlorë, ku dua po ashtu të sjellim edhe Universitetin e Sporteve të Realit të Madridit, një qendër ekselence e arsimit të lartë, e cila formon profesionistët e sportit, nga menaxherët tek mjekët sportivë.

2. Masat për sezonin e verës

Beteja me zjarret e verës së ardhshme ka nisur. Mësimet e reja të këtij viti janë kthyer në masa konkrete, për sezonin e ardhshëm të përballjes me zjarret. Eshtë bërë inventari i plotë i dëmeve në banesa e në krerë bagëtish, të cilat do të shlyhen me pagesa të drejtëpërdrejta nga buxheti i shtetit. Ndërkohë do të investojmë fort për rritjen e kapaciteteve të trupës së zjarrfikësve, të cilët do të përfshihen në skemën e rritjes së pagave të ushtrisë, si edhe do të investojmë më tej në teknologji, me dronët me kamera termike. Po ashtu do të trainojmë sistematikisht forcat civile në nivelin vendor, e do të përfshijmë edhe shkollat në mbërshtetje të shërbimit pyjor, ndërkohë që penalitetet për zjarrvënësit do të ashpërsohen edhe më shumë.

3. Agjencia Kombëtare e Planifikimit, Zhvillimit Urban dhe Strehimit

Kemi nisur punën për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, Zhvillimit Urban dhe Strehimit, e cila do të adresojë një sërë problematikash, që nga rritja e volumit dhe cilësisë së investimeve për strehim social apo mundësi strehimi nën çmimet e tregut, tek fuqizimi i njësive vendore me kapacitete në fushën e planifikimit dhe lehtësimi i proceseve të zhvillimit urban. Kjo agjenci do të administrojë e menaxhojë edhe Fondin e Gjelbërt, të cilin do ta krijojmë me kontributet në pemë që sipas ndryshimeve të reja ligjore, janë detyrim i ndërtuesve në raport me metrat katrorë për ndërtim.

4. Shoqëria MOBILE

Kemi krijuar MOBAL, një shoqëri aksionare nen pronesi shtetërore, qe do të funksionojë si një strukturë qëndrore për transformimin cilësor të transportit publik. Kjo shoqëri do të sigurojë: Operimin me një standard të lartë të shërbimit të transportit publik ndërqytetas në destinacionet turistike; Operimin e shërbimeve të transportit shkollor përfshirë transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimorë; Organizimin e një sistemi transporti publik ndërqytetës modern, efikas dhe gjithëpërfshirës në të gjithë vendin nëpërmjet digjitalizimit të sistemeve të biletimit dhe monitorimit në kohë reale. MOBAL do të nisë operimin e linjave turistike ne destinacionet kryesore turistike ne jug dhe veri te vendit, duke nisur nga fillimi i sezonit turistik 2026. Nderkohe, transporti shkollor për nxënës dhe punonjës arsimorë do te pilotohet në qarqe/qytete te perzgjedhura, duke nisur nga shtatori 2026.

5. Pagat e Orkestrës së RTSH

Më në fund edhe pagat e Orkestrës së RTSH u rritën e u barazuan me pagat e Orkestrës së Operas, të cilat ishin rritur më parë dhe ky është një lehtësim për mua, sepse tanimë nuk jemi më duarlart nga pamundësia për të mbështetur disa kategori profesionistësh të këtij vendi, të cilët nuk janë forca që mund t’i mbijetojnë tregut të lirë, po janë një burim i çmuar energjie për kulturën tonë kombëtare.

6. Shqipëria në SEPA

Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro), dhe nga data 7 tetor e këtij viti, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE. Kjo nismë do të sjellë përfitime të menjëhershme për ekonominë dhe konsumatorët shqiptarë. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare.

7. Siguria Kibernetike

Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 18-të në botë me 85.00 pikë, sipas National Cyber Security Index (NCSI). Ky rezultat përfaqëson një ngritje prej 36 pozicionesh krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54-të me 62.34 pikë. Brenda vetëm dy vitesh, Shqipëria ka kaluar dhjetëra shtete të mëdha dhe me traditë të konsoliduar në këtë fushë, duke u shndërruar në një nga historitë më të jashtëzakonshme të suksesit në sigurinë kibernetike globale.


Shtuar 12.10.2025 10:41