Shqipëria do të luajë shansin e saj të fundit për një vend në Botëror, ku të shtunën do të përballet me Serbinë në Leskovc.
Kuqezinjtë renditen në vendin e dytë në grup, me 8 pikë pas 5 ndeshjesh, ndërkohë që Serbia e sheh veten e treta me 7 pikë, por me një ndeshje më pak se kuqezinjtë.
Një fitore e jona në Leskovc, do të ishte një hap i madh për të marrë vendin e dytë në grup duke qenë se Shqipëria luan ndeshjen e radhës ndaj Andorrës dhe të fundit ndaj Anglisë, ndërkohë që Serbia luan ndeshjet e saj ndaj Andorrës, Letonisë dhe Anglisë.
Një fitore e mundshme e Serbisë ndaj kuqezinjve, do të shuante ëndrrën tonë për vendin e dytë, dhe vetëm nëse Serbia humbet 2 ndeshje e Shqipëria fiton të paktën njërën, atëherë do të ishim të dytët në grupin tonë.
Anglia tashmë e ka blinduar vendin e parë në grup dhe i duhet vetëm një fitore për të kaluar matematikisht në Botëror, teksa ndeshja jonë me “3 luanët”, do të luhet në nëntor dhe është sfida e fundit kualifikuese, që në rast se Shqipëria fiton të dyja ndeshjet e radhës, atëherë edhe për ne do të ishte vetëm për statistikë.
Sa i përket golaeverazhit, kuqezinjtë janë më të favorizuar se Serbia pasi ka shënuar 5 gola dhe ka pësuar 3, ndërkohë që Serbia nga ana tjetër ka shënuar 4 gola dhe ka pësuar 5, duke pasur një rekord negativ.
Bie në sy fakti se serbëve iu ka shënuar vetëm Anglia në fitoren 0-5 dhe në 3 ndeshjet tjera, nuk ka pësuar asnjë gol.