Autoritetet në Turqi nisën një hetim për përdorim të dyshuar droge që përfshinte 19 figura publike të profilit të lartë, përfshirë këngëtaret Hadise Acikgoz dhe Irem Derici, aktoret Demet Evgar dhe Berrak Tuzunataç, si dhe personalitetet e mediave sociale Duygu Ozaslan dhe Derin Talu.
Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit konfirmoi se hetimi ka të bëjë me veprën penale të ” përdorimit të substancave narkotike ose stimuluese”, sipas ligjit penal turk. Zyrtarët sqaruan se hetimi nuk përfshin urdhra ndalimi, por kërkon që individët të japin deklarata dhe t’i nënshtrohen analizave të gjakut.
Komanda e Xhandarmërisë Provinciale e Stambollit kreu operacionin, duke shoqëruar një grup të madh personazhesh të famshëm dhe figurash publike në qendrat shëndetësore për mbledhjen e mostrave të gjakut përpara se t’i transferonte ata në Komandën e Xhandarmërisë për dëshmi.
Në listën e siguruar nga prokuroria përfshihen këngëtarë, aktorë, personazhe televizivë dhe influencues të rrjeteve sociale të njohura. Mes tyre janë Ziynet Sali, Kubilay Aka, Kaan Yildirim, Mert Yazicioglu, Metin Akdulger, Ceren Moray, Ozge Ozpirincci, Engin Polat, Dilan Polat, Deren Talu, Zeynep Meric Aral, Birce Akalay dhe avokatja Feyza Altun.
İrem Derici, e cila u mor në paraburgim si pjesë e operacionit, kishte njoftuar së fundmi se do të fejohej me të dashurin e saj, DJ Melih Kunukçu, më 8 tetor.
Zyra e prokurorit theksoi se hetimi kufizohet në verifikimin e akuzave për përdorim droge dhe nuk shtrihet në arrestime ose akuza në këtë fazë. Në Turqi, hetimet për përdorimin e narkotikëve trajtohen sipas Nenit 191 të Kodit Penal Turk, i cili mbulon përdorimin e drogave dhe stimuluesve. Ligji u lejon autoriteteve të urdhërojnë trajtim, rehabilitim ose lirim me kusht në vend të burgimit në rastet që përfshijnë përdorim personal, varësisht nga gjetjet e hetimit.
Rezultati i hetimit do të varet nga rezultatet e toksikologjisë dhe vlerësimet pasuese ligjore.