Tekstilet e këpucët në krizë/ Punësimi në fason ra me një të pestën, arsyet pse sektori po tkurret

Industria e tekstileve dhe këpucëve, ka shkurtuar rreth 8% të punonjësve ndërmjet tremujorit të dytë 2024 dhe atij 2025, ndërsa në krahasim me 2023, industritë kanë “humbur” gati një të pestën e fuqisë punëtore, referojnë të dhënat zyrtare të INSTAT.

Indeksi i punësimit në fabrikat e veshjeve dhe tekstilit ra në 83.93 pikë, nga 92.31 pikë që ishte në tremujorin e dytë 2024.

Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 8.3 pikë % brenda një viti. Tendenca e rënies, e cila nisi që prej vitit 2023, vazhdon të përkeqësohet, duke treguar për thellim të krizës në këtë sektori.

Në mënyrë të ngjashme indeksi i punësimit në fabrikat e këpucëve dhe lëkurëve ra me 7%, në nivelin më të ulët të regjistruar në këtë seri të dhënash, duke konfirmuar presionin e fortë mbi industrinë e prodhimit nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Indekset e punësimit po edhe të shitjeve tregojnë se industria fason është në një trajektore të fortë rënëse. Por sektori i lëkurës dhe këpucëve rezulton më i godituri.

Fasoni kishte rënie të punonjësve me 22 për qind ndërmjet tremujorit të dytë 2023 dhe të dytit 2025 referojnë të dhënat zyrtare.

Fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë qenë kalorësi i eksporteve gjatë dekadës së fundit por roli i tyre u zbeh pas pandemisë. Gjithashtu ato ishin një punëdhënës i rëndësishëm në punën me pagesë për gratë ne nevoja të mëdha financiare.

Arsyet pse sektori po tkurret lidhet me një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Rritja e pagave minimale dhe e kontributeve të sigurimeve ka dhënë ndikim të drejtpërdrejt mbi bizneset prodhuese.

Me marzhe të ulëta fitimi, çdo rritje e kostos ndikon menjëherë në uljen e konkurrueshmërisë në këto njësi prodhimi.

Rënia e euros pati gjithashtu ndikim të fortë pasi solli një seri falimentesh në njësite e vogla dhe të mesme që punonin si nënkontraktorë të fabrikave me të mëdha.

Në sektorin e veshjeve dhe këpucëve Shqipëria konkurron kryesisht në segmentin e prodhimit me kosto të ulët, por vende si Turqia, Maroku apo edhe Azia Juglindore ofrojnë çmime më të leverdishme për kompanitë europiane.

Kjo i ka shtyrë disa marka ndërkombëtare të zhvendosin kontratat drejt tregjeve më të mëdha e më të lira.

Sektori shqiptar i tekstileve dhe këpucëve varet pothuajse tërësisht nga eksportet. Ngadalësimi i konsumit në vendet e BE-së sidomos në Itali dhe Gjermani, që janë partnerët kryesorë ka sjellë tkurrje të porosive. Inflacioni i lartë në këto tregje ka bërë që konsumatorët të kufizojnë blerjet e produkteve të veshjeve e këpucëve./Monitor


Shtuar 8.10.2025 15:15