Në një tjetër vend, ku arti vlerësohet edhe më shumë, vështirë se do të shihej një skenë e tillë, ku një artist që prej më shumë se 30 vitesh ka qenë pjesë aktive e muzikës, zgjedh të udhëtojë me autobus.
E kemi fjalën pikërisht për këngëtarin Kozma Dushin, i cili në të përditshmen e tij, zgjedh transportin publik.
Paparaci ka mundur të shkrepë disa foto, ku shihet artisti, i cili tërësisht i çliruar nga komplekset, ka zgjedhur të udhëtojë si çdo njeri i thjeshtë.
Një pamje kjo, që duhet thënë nuk ndodh shpesh ta hasim në radhën e artistëve, që kryesisht kanë automjetet e tyre.
Por, Kozmai ka folur për pasurinë që artistët e kalibrit të atij kanë, duke u shprehur se nuk ka qenë kurrë i pasur dhe madje për të është e pamundur realizimi i një klipi.
“Është shumë e vështirë për një këngëtar si unë apo Liljana të realizojnë një videoklip sot. Biznesmenë apo njerëz të tjerë, nuk japin para. Ndërkohë që për ndonjë nga ata që quhen këngëtarë sot paguajnë deri në 20.000 euro për një natë. Sot është shumë e vështirë për ne të gjesh 5.000 euro për një videoklip. Ka biznesmenë të mirë, por është shumë e vështirë të takohesh me ta. Kur i thua një biznesmeni që kushton 3.000 euro një videoklip, thotë merri 50.000 lekë të vjetra”, është shprehur i revoltuar me këtë realitet Dushi.
E duket se realiteti i tij është ky, ku punët e përditshme zgjedhë ti mbarojë me autobus.