Kryesia e Partisë Demokratike në Vlorë vendos listën e kandidatëve, zbulohen emrat e propozuar për Bashkinë

Në selinë e Partisë Demokratike, dega Vlorë, u zhvillua sot një mbledhje e rëndësishme e kryesisë së degës, nën drejtimin e deputetit Bujar Leskaj, me fokus përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Vlorë.

Gjatë takimit, Leskaj theksoi se dega lokale e PD-së është angazhuar plotësisht për këtë proces elektoral dhe se puna për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar bashkie ka hyrë në një fazë intensive diskutimesh. Ai bëri të ditur se konsultimet do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme, jo vetëm me forumet e ndryshme të PD-së, por edhe nëpërmjet takimeve me anëtarësinë dhe strukturat në rajonet e qytetit dhe të gjithë qarkut.

Sipas tij, qëllimi është që përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, të përzgjidhet kandidatura më përfaqësuese dhe më e denjë për të përfaqësuar Partinë Demokratike në garën për drejtimin e Bashkisë Vlorë.

Emrat e propozuar si kandidatë potencialë:

-Eralba Kreshpa

-Alta Azizi Haluci

-Atird Hoxha

-Genti Hamzaraj

-Rezembrik Serjani

Deri më tani, emri që përmendet më shpesh në diskutime është ai i Atird Hoxhës, aktualisht kreu i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Hoxha ka qenë më parë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare, ku u rendit i katërti në listën e mbyllur të PD-së, por nuk arriti të siguronte një mandat për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

Nga diskutimet e deritanishme brenda strukturave, Atird Hoxha rezulton të jetë kandidatura më e votuar, megjithatë vendimi përfundimtar pritet të formalizohet pas përfundimit të fazës së konsultimeve dhe dakordësisë së plotë mes forumeve të partisë.

Procesi pritet të vijojë gjatë ditëve në vijim, me qëllim që PD të paraqitet me një kandidat të fortë dhe të unifikuar në zgjedhjet që do të zhvillohen së shpejti.


Shtuar 4.10.2025 20:48