Alimehmeti për zgjedhjet në Tiranë: Na takon të udhëheqim pajtimin kombëtar, ja pse s’ka negociata me Qorin

Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Oponenca” në News24, ka komentuar mbi zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës dhe negociatat që po zhvillohen mes partive opozitare për të gjetur një kandidat të përbashkët.

Alimehmeti, i ngarkuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të zhvilluar bisedime me partitë e tjera opozitare, theksoi se uniteti është kyç për të sfiduar pushtetin e kryeministrit Edi Rama.

“Po të qëndrojë opozita përballë, nuk ka pushtet që nuk bie. Neve na intereson rezultati në fund të ditës,” u shpreh ai, duke shtuar se dialogu dhe bashkimi i forcave janë domosdoshmëri për të krijuar një koalicion të fortë opozitar.

Alimehmeti nënvizoi gjithashtu nevojën e një “pajtimi kombëtar” brenda opozitës, duke theksuar rolin udhëheqës të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare.

Ai e cilësoi si mangësi të së shkuarës mungesën e aleancave në zgjedhjet parlamentare, ndërsa nënvizoi se tashmë është momenti për të krijuar një front të përbashkët.

Sa i takon kandidaturës për Tiranën, Alimehmeti tha se tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në Këshillin Bashkiak mes forcave opozitare për të kundërshtuar kryebashkiakun Erion Veliaj.

Megjithatë, ai përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje me Arlind Qorin, duke theksuar se “ai nuk është pjesë e spektrit të djathtë”.

“Mendoj se duhet të kishte pasur aleanca në zgjedhjet parlamentare, por është bërë e qartë që nuk u realizuan siç duhej. Tani është koha të krijohet një pajtim kombëtar që udhëhiqet nga PD dhe të bashkohemi të gjithë në një front të fortë,” përfundoi Alimehmeti.


Shtuar 1.10.2025 22:22