Agron Shehaj presion PD-së: Të dalim me kandidat të përbashkët përballë Ogerta Manastirliut, emrat i kemi gati

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka përsëritur thirrjen ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike, që të ndajnë mendjen dhe të vendosin për propozimin e tij, për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës.

Në një konferencë për mediat, Agron Shehaj është shprehur se ata kanë gati alternativa shumë të mira për të mposhtur kandidaten socialiste Ogerta Manastirliu, por duhet më parë që partia më e madhe opozitare të vendos për pozicionin e saj.

“Partia Mundësia ka alternativa shumë të mira, dhe jam i bindur se ato mund të fitojnë përballë kandidates socialiste. Deri tani nuk kemi bërë negociata me PD, por do të punojmë që të dalim me një kandidat të përbashkët jashtë partive politike. Do të ngulim këmbë për këtë.

Thjesht, PD-ja të ndajë mendjen. Nuk mund të ulemi në negociata pa ditur për çfarë po negociojmë. Nëse duan të dijnë nga Partia Mundësia dhe nga ne, nëse do të mbështesim një kandidat nga Partia Demokratike, është e kotë të ulemi në negociata dhe në tavolinë. Përgjigjja është jo.

Nëse janë të gatshëm dhe e kanë ndarë mendjen që të kandidojnë një përfaqësues të opozitës, që të bashkojë opozitën dhe që të marrë vota përtej partive të opozitës, atëherë jemi absolutisht dakord. Ky është një fillim. Le ta fillojmë me Bashkinë e Tiranës dhe të tregojmë se Edi Rama mundet. Ky është një shans i artë”, – tha Shehaj.


Shtuar 29.09.2025 18:32