Një hetim i SPAK, Sektorit të Hetimit të Krimit të Organizuar besohet të ketë zbardhur një vrasje dhe zhdukje personi të ndodhur 5 vite më parë.
Bëhet fjalë për Klevis Lleshin, i cili u zhduk pa gjurmë në vitin 2020 dhe trupi i tij u gjet pas afro 3 vitesh në një fshat të Matit.
Ai është zbuluar si rezultat i erozionit të tokës dhe banorë të zonës kanë njoftuar policinë, e cila më pas ka kryer testin e AND-së nga ku ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi, në atë kohë 24 vjeç.
Ngjarja fillimit u hetua nga prokuroria vendore ndërsa familjarët kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi.
Ngjarja dyshohet se është sagë e një gjakmarrjeje ndër vite pasi të riut më herët i janë ekzekutuar babai dhe xhaxhai.
Gazetari Edison Vatnikaj raporton për “Ora News” se gjatë natës janë ushtruar kontrolle në disa zona të kryeqytetit, ndërsa nga GJKKO janë lëshuar dhe masa sigurie. Ndërkaq për operacionin në fjalë pritet njoftim zyrtar nga SPAK.
Nga ana tjetër në media flitet edhe për emrin e porositësit të ekzekutimit të Klevis Lleshit.
“SPAK ka firmosur 4 urdhërarreste, prej të cilëve është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme vetëm njëri. Ndërkohë tre të tjerët janë shpallur në kërkim. Aurel Hoxha pronar i lokal Monopol dyshohet si urdhërues i rrëmbimit dhe më pas vrasjes se Klevis Lleshit. Ngjarja duket se ka qenë hakmarje për vrasjen e vëllait të tij Agim Hoxha në 2012 nga kushëriri i Lleshit. Mësohet se Operacionalja ka ushtruar kontroll në Mamurras, ndërsa momentalisht po ushtrohen kontrolle në Kamëz dhe Fresk”, raporton News 24.