Partia Demokratike dërgon në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e Kuvendit, kërkon dhe shfuqizimin e ministres “Diella”

Partia Demokratike, ka depozituar ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të ndryshimeve të njëanshme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit.

Rregullorja e re e Kuvendit, përmes të cilës janë riorganizuar komisionet parlamentare duke u bërë 11 të tilla, u votua në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro të deputetëve socialistë.

Opozita i kundërshtoi në seancë ndryshimet e miratuara dhe i konsideroi puç kushtetues sepse sipas tyre nuk u respektua afati minimal me 7 ditë kohë, siç parashikohet edhe në procedurën e përshpejtuar.

Gjithashtu, në një padi të dytë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës shfuqizimin, si antikushtetues, të dekretit të Presidentit për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”.