Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar prej 10 shkurtit të këtij viti nga SPAK dhe me masë sigurie arrest në burg nga GJKKO, nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës pasditen e sotme, ku do të vendoset nëse do të shkarkohet apo jo nga detyra.
Ky ka qenë edhe vendimi i marrë sot Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale në institucion, nga këshilltarët e pranishëm.
Me votat e shumicës socialiste dhe disa këshilltarëve të tjerë, u rrëzua kërkesa e Veliajt për të qenë i pranishëm gjatë mbledhjes, kurse Opozita kërkoi që kryebashkiakut t’i respektohej e drejta kushtetuese për të folur para shkarkimit, sipas procedurës.
Ndonëse ky komision do të diskutonte dhe kalonte për votë shqyrtimin e kërkesës së Veliajt, Prokuroria e Posaçme duket se nuk ka dhënë lejen.
Në orën 16:00 është planifikuar mbledhja vendimtare e Këshillit Bashkiak. Kërkesa, e mbështetur nga anëtarët socialistë të këshillit, bazohet në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Sipas këshilltarëve, që prej arrestimit të Veliajt më 10 shkurt, Tirana ka qenë pa një drejtues të zgjedhur dhe situata kërkon një zgjidhje të menjëhershme. Opozita është pro shkarkimit të Veliajt gjithashtu, por jo pa respektuar të drejtën e tij kushtetuese, që të dëgjohet sipas kërkesës së depozituar.