Mbretëria e Bashkuar ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, duke iu bashkuar Kanadasë dhe Australisë në përpjekjen ndërkombëtare për të ringjallur shpresën për paqe në Lindjen e Mesme dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.
“Sot ne bashkohemi me mbi 150 vende që njohin një shtet palestinez”, shprehet Starmer, ndërsa thotë se ky veprim është “një premtim për popullin palestinez dhe izraelit se mund të ketë një të ardhme më të mirë”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi: “Sot, për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.”
“Jo vetëm që duhet ta hedhim poshtë urrejtjen, por duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të luftuar urrejtjen në të gjitha format e saj,” ka thënë ndër të tjera kryeministri britanik.
Ky qëndrim i Britanisë së Madhe pason deklaratat e Kanadasë, ku kryeministri, Mark Carney është shprehur: “Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Palestinën ashtu edhe për Izraelin.”
Po ashtu, Australia shpalli njohjen e Palestinës. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi këtë si një angazhim të përbashkët ndërkombëtar për paqe të qëndrueshme.
Vendimet janë shpallur gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.