Liga Premier pa gabimet e arbitrimit: City do të humbiste pikë, Liverpooli dhe Brentfordi do të fitonin

Manchester City do të ishte ndër skuadrat me humbjen më të madhe të pikëve në një renditje të Ligës Premier ku përjashtohet ndikimi i gabimeve të gjyqtarëve dhe VAR-it. Përkundrazi, korrigjimi i disa vendimeve të diskutueshme do t’u sillte pikë shtesë Liverpoolit dhe Brentfordit.

Kjo tabelë hipotetike është ndërtuar mbi vlerësimet e Panelit për Incidente Kyçe të Ndeshjeve (KMI), që analizon vendimet më të rëndësishme të arbitrave dhe ndërhyrjet e VAR-it. Në përbërjen e tij janë pesë anëtarë, mes të cilëve ish-futbollistë ose trajnerë, si edhe përfaqësues të gjyqtarëve profesionistë dhe të Ligës Premier.

Të lidhura

None found

Në rastin e Manchester Cityt, paneli e konsideroi të pasaktë vendimin për golin e Erling Haalandit që siguroi fitoren kundër Manchester Unitedit. Heqja e ndikimit të këtij gabimi do t’i kushtonte Cityt dy pikë, duke afruar garën në krye dhe duke e lënë Arsenalin vetëm një pikë pas tij.

Për Liverpoolin, ndryshimi lidhet me penalltinë që iu dha gabimisht Nottingham Forestit në takimin e përfunduar 2-2 në “Anfield”. Pa atë vendim, skenari hipotetik parashikon një fitore 2-1 për Liverpoolin, dy pikë më shumë dhe kalimin mbi Chelsean në klasifikim.

Dy pikë shtesë do të merrte edhe Brentfordi, pasi, sipas panelit, në përballjen me Leedsin, e mbyllur 1-1, duhej të ishte akorduar një penallti në favor të tij. Gjithsesi, mbetet e pamundur të përcaktohet nëse ajo goditje do të ishte kthyer në golin që do të vendoste fitoren.

Paneli shqyrtoi gjithashtu golin e dytë të Crystal Palace në suksesin 3-1 kundër Nottingham Forestit. Me votim 3-2, anëtarët e tij arritën në përfundimin se arbitri duhej ta kishte anuluar golin për një prekje të dyshuar me dorë. Edhe me këtë korrigjim, rezultati hipotetik për Forestin nuk do të ndryshonte.

Sipas të dhënave të publikuara nga Liga Premier, nga 114 incidente kyçe të shqyrtuara nga gjyqtarët, të sakta janë cilësuar 89 për qind e vendimeve të marra në fushë. Në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar, kjo shifër ishte 86 për qind. Kur përfshihen ndërhyrjet e VAR-it, saktësia e vendimeve për këtë sezon arrin në 98 për qind.

Renditja hipotetike e Ligës Premier, duke përjashtuar gabimet e gjyqtarëve, do të paraqitej kështu: