Studenti ekselent i përgjigjet Ramës: S’jam dënuar kurrë, policia më dhunoi dhe protestat do të vijojnë

Pas akuzës së kryeministrit Edi Rama se është përdorues/shpërndarës droge, studenti Jon Sinoimeri e ka kundërshtuar këtë pretendim në një reagim për News24. Ai e cilësoi deklaratën gënjeshtër dhe theksoi se nuk ka marrë asnjë dënim e nuk është paraqitur ndonjëherë përpara gjykatës.

Sinoimeri shprehu edhe “frikën” se Rama mund t’i ndërpresë bursën, duke thënë se shteti mund ta marrë një masë të tillë ndaj tij. Studenti pretendoi se është dhunuar nga policia gjatë ditës kur mori pjesë në protestë, por nënvizoi se as ai dhe as rinia nuk do të ndalen.

Të lidhura

None found

Në rrëfimin e tij për 13 tetorin, ai shpjegoi se atë ditë kishte qenë në shkollë dhe më pas kishte shkuar i vetëm në protestë. Sipas tij, policia hodhi ujë me kimikate, ndërsa ai bleu në atë moment tre shishe ujë në një market.

Studenti tha se vetëm kishte replikuar me efektivët, kur 17 policë nisën ta ndiqnin me vrap. Ai deklaroi se e dërguan prapa Ministrisë së Arsimit, ku e dhunuan, dhe më pas e shoqëruan në Komisariatin 3.

Sipas Sinoimerit, pas shumë orësh qëndrimi në komisariat, ai u la i lirë pa dalë në gjykatë. Ai përsëriti se nuk është dënuar dhe se nuk ka qenë asnjëherë para gjykatës.

Duke konfirmuar se protestat do të vazhdojnë, përfshirë edhe ato online, studenti hodhi poshtë pretendimet se pjesëmarrësit paguhen. Ai i përshkroi ato si propagandë të rreme dhe u shpreh se janë studentë të lirë që dëshirojnë të mirën e Shqipërisë.

Në përfundim, Sinoimeri falënderoi median për hapësirën që u ka dhënë për të shprehur zërin e tyre.