Mbretëria e Bashkuar njofton njohjen e shtetit palestinez, priten tensione me SHBA-në dhe Izraelin

Një zhvillim i rëndësishëm diplomatik pritet të ndodhë nesër, më 21 shtator, kur kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.

Lajmi është raportuar nga prestigjiozja “The Times”, sipas të cilit vendimi i qeverisë britanike do të shoqërohet me një dënim të ashpër ndaj operacionit tokësor të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka përshkruar ndërhyrjen ushtarake të Izraelit si “të pamatur dhe të papranueshme”, ndërsa Starmer pritet të deklarojë se kjo ofensivë nuk i lë Britanisë “asnjë alternativë tjetër” përveçse të ecë përpara me njohjen e Palestinës si shtet të pavarur, raporton Reuters.

Vendimi i Londrës pritet të shkaktojë tensione me aleatët më të ngushtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se një akt i tillë “do të shihej si shpërblim për mizoritë e Hamasit”.
Sipas burimeve diplomatike, Franca, Kanadaja dhe Australia janë gjithashtu në përgatitje për të njohur shtetin palestinez, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit izraelito-palestinez.


Shtuar 20.09.2025 21:10